Në orën 19:30 të mbrëmjes së të dielës (18:30 në Greqi) ai, sapo ka parë grupet speciale të forcave të policisë të hyjnë në ambjentet, ku ai mbante peng pesë gardianë, qysh prej së shtunës në mbrëmje, është dorëzuar duke thënë: “Djema, nuk e vazhdoj më këtë punë”.
Më pas, pesë pengjet, që ai mbante, janë lënë të lirë dhe u është dhënë ndihma mjekësore. Policët grekë, që e kanë arrestuar, kanë konstatuar se Alket Rizai ka bërë bllof, përsa i përket lëndëve eksplozive. Aparati, që mbante të lidhur dhe për të cilin thoshte se është gjysmë kilogram lënde ekplozive C4, nuk ishte gjë tjetër veçse një radiokasetofon dore i mbuluar me plastelinë dhe letër ngjitëse.
“Nuk më doli bllofi si herët e tjera”, - u ka thënë ai policëve të forcave speciale, që përbëheshin nga tre grupe prej pesë vetësh dhe dy snajperash.
Për negociatat me Rizain kishte mbërritur nga Athina një grup prej pesë specialistësh, pasi, sipas policisë, ai konsoiderohej një person i vështirë për t’u thyer, që nuk kishte çfarë të humbiste, kështu që u planifikua një operacion i ri i detajuar për të shmangur gjakderdhjen dhe që u kurorëzua me sukses nga ana e policisë.
Më herët në mesditë, pas një operacioni të grupeve speciale, ishin liruar me anë të një vinçi të reparteve të zjarrëfikësve, 7 gardianë që ndodheshin në një ambjent tjetër të burgut, ndërsa në një situatë të turbullt ka mundur të largohet edhe një prej pengjeve, që mbante Rizai.
Polica po heton dy makina të dyshimta, që janë parë pranë zonës, ku ndodhet burgu i sigurisë së lartë, ndërsa nuk ka ende informacion për dy të burgosurit që kanë ndihmuar Alket Rizain gjatë pengmarrjes.
Ishte tentativa e tretë për arratisje, nga i burgosuri shqiptar, pas dy përpjekjeve spektakolare në 2006 dhe 2009, kur ai është larguar me helikopter nga burgu famëkeq i Koridhalosë.